Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur të neutralizojnë atë që ai e cilësoi si një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit izraelit.
Në një konferencë për shtyp, Netanyahu u shpreh:
“Njerëzit pyesin se çfarë kemi arritur dhe përgjigjja është: ne kemi hequr kërcënimin e menjëhershëm të asgjësimit.”
Deklarata vjen në një moment kur po diskutohet gjerësisht marrëveshja e paralajmëruar mes SHBA-së dhe Irani për uljen e tensioneve në rajon.
Megjithatë, kreu i qeverisë izraelite theksoi se konflikti nuk mund të konsiderohet i mbyllur:
“Lufta jonë nuk ka mbaruar ende.”
Këto komente sugjerojnë se, pavarësisht zhvillimeve diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit, Izraeli mbetet i rezervuar dhe vijon të konsiderojë si prioritare çështjet e sigurisë kombëtare, veçanërisht në lidhje me programin bërthamor iranian dhe aktivitetet e grupeve aleate të Iranit në rajon.
Deklaratat e Netanyahut vijnë ndërsa analistët po ndjekin me vëmendje nëse Izraeli do të mbështesë plotësisht marrëveshjen SHBA-Iran apo do të kërkojë garanci shtesë për sigurinë e tij.
