PS mobilizon strukturat për 35-vjetorin, aktiviteti në Tiranë zhvillohet paralelisht me protestat qytetare

Data

Edi Rama mbledh 12 mijë socialistë në Tiranë për të sfiduar protestat, ja si janë ndarë sipas qarqeve
Rigels Seliman

Ndërsa protesta qytetare kundër qeverisë, por dhe opozitës, hyri dje në ditën e saj të 12-të, Partia Socialiste ka nisur mobilizimin e strukturave për 35-vjetorin e themelimit të saj, aktivitet që do të zhvillohet më 12 qershor (sot) në orën 17:30, në Sheshin Italia në Tiranë. Sipas një mesazhi të shpërndarë në strukturat e PS-së në kryeqytet, por dhe në qarqe e rrethe, është kërkuar angazhim maksimal nga organizatat socialiste për të siguruar pjesëmarrje sa më të lartë në aktivitet.

Ndërkohë gazeta “SOT” ka siguruar skicën që kanë bërë organizatorët, ku kryeministri Edi Rama ka parashikuar të mbledh 12 mijë socialistë në Tiranë për të sfiduar protestat anti-qeveri, ku siç shihet në foton ndarja do të jetë sipas rretheve. Kështu barrën kryesore për të sjellë më shumë socialistë në atë aktivitet e ka Qarku Tiranë, që duhet të çojë 3 mijë e 500 militantë.

Më pas Qarku Fier duhet të çojë në aktivitet 2 mijë militantë, ndërsa Qarku i Vlorës 1 mijë persona. Kurse Qarku i Durrësit duhet të sjellë sot në aktivitet 1 mijë e 500 militantë, Qarku Elbasan 1 mijë, Qarku Korçë 1 mijë, Qarku Gjirokastër 300 militantë, Qarku Lezhë 600 militantë, Qarku Berat 500 militantë, Qarku Kukës 200 militantë, Qarku Shkodër 600 militantë dhe Qarku Dibër 300 militantë socialistë.

Mesazhi

Ndërkaq sikundër e theksuam më sipër, në mesazhin e shpërndarë thuhet se çdo Organizatë Socialiste duhet të garantojë pjesëmarrjen e pesë anëtarëve, sipas objektivave të përcaktuara për secilën njësi, ndërsa kryetarët e organizatave janë udhëzuar të paraqiten së bashku me grupet e tyre në sektorët e caktuar. “Përshëndetje shokë e shoqe,  Pas takimit të zhvilluar me Drejtuesen Politike të Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, ju përcjellim orientimet lidhur me organizimin e aktivitetit të madh që do të zhvillohet më 12 qershor, ora 17:30, Sheshi Italia.

Për shkak të rëndësisë së veçantë të këtij aktiviteti, kërkohet angazhim maksimal nga të gjithë kryetarët e organizatave, për të garantuar një pjesëmarrje sa më të lartë dhe një përfaqësim dinjitoz të Njësisë nr. 2. Çdo Organizatë Socialiste duhet të sigurojë pjesëmarrjen e 5 anëtarëve, sipas objektivit të përcaktuar për realizimin e kuotës së njësisë. Ditën e aktivitetit, çdo kryetar organizate duhet të paraqitet në sektorin e përcaktuar për Njësinë nr. 2 së bashku me 5 anëtarët e njësisë.

” Nga ana tjetër, protestuesit që prej 12 ditësh mblidhen para Kryeministrisë kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës edhe ditën e sotme në orën 18:00. Ata kanë bërë thirrje që qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e administratës publike, të bojkotojnë aktivitetin e organizuar nga mazhoranca dhe t’i bashkohen protestës. Sipas organizatorëve të protestës, tubimi i përditshëm po tërheq mbështetje në rritje, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë. Mbetet për t’u parë ditën e sotme nëse do ketë provokime nga ana e socialistëve dhe nëse qytetarët do e bojkotojnë këtë miting.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related