Elisa Spiropali thirret me urgjencë në Bundestag, ish-ministrja e Edi Ramës raporton për situatën kaotike në mazhorancë
Mes tensioneve të forta në Tiranë dhe përplasjeve në distancë me krerët e mazhorancës socialiste, ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale direkt nga Berlini. Ajo ka zgjedhur të shfaqet në një ambient fort zyrtar, duke treguar se ka nisur takime të nivelit të lartë në Gjermani. Zonja Spiropali ka bërë të ditur se vizita e saj “urgjente” në Bundestag ka nisur me një nga figurat kyçe të politikës gjermane për rajonin tonë.
Ajo është fotografuar krah Peter Beyer, Raportuesit për Shqipërinë dhe njëkohësisht kryetarit të grupit të miqësisë me Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij mesazhi, ish-ministrja ka theksuar se mbështetja e Berlinit mbetet jetike për fatet e vendit tonë. Ajo ka shtuar se Shqipëria ka një përgjegjësi të madhe për të mos ndalur procesin e saj të reformave. Spiropali ka nënvizuar se ky transformim është i domosdoshëm për të ndërtuar një shtet më të fortë dhe më të drejtë. Në fund të reagimit të saj, ajo ka garantuar se rrugëtimi europian i vendit mbetet prioriteti kryesor. “Bundestag, Berlin, Gjermani.
Vizita në Bundestag nisi me Peter Beyer, Raportuesi për Shqipërinë dhe kryetari i grupit të miqësisë me Ballkanin Perëndimor. Miqtë e Shqipërisë mbeten gjithmonë të rëndësishëm. Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia jonë për të vazhduar transformimin; për një Shqipëri më të fortë, më të drejtë dhe më europiane”, shkroi dje Spiropali. Por kjo lëvizje e ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali shihet si një “përgjigje flakë për flakë” ndaj Tiranës zyrtare. Ndërsa brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kërkohet heshtje dhe llogaridhënie “brenda strukturave”, ish-ministrja zgjedh të flasë për “transformim dhe një Shqipëri më të drejtë” pikërisht nga Gjermania, duke treguar se kauza e saj mbështetet edhe nga partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë.
Protestat qytetare për Zvërnecin, Spiropali sfidon hapur Ramën: Të është prishur gjumi
Ndërkohë kujtojmë se më herët ish-ministrja Elisa Spiropali ka bërë një reagim të gjatë në rrjete sociale për protestat e ditëve të fundit që kanë nisur në Zvërnec dhe prej një javë mbushin bulevardin qendror të Tiranës. Ajo thekson se tashmë është koha për “një marrëveshje të re për Shqipërinë”, duke ju referuar vënies së shtetit në shërbim të qytetarëve, jo të pushtetit.
“Ç’u bë, nuk mund të ç’bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë. Është kollaj protestave të sotme t’u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamendje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë? Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë sheshit dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet. Për fat, kjo pyetje ka përgjigje. Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë”, shkruan Elisa Spiropali.
Nga ana tjetër, politikania e lartë socialiste që sot është shndërruar në kritike të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, thotë se çdo epokë ka pyetjen e vet themelore dhe për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Ndërsa sot, thotë ajo, pyetja është tjetër; si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. “Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë”, shkruan Elisa Spiropali.
Më tej ajo thekson se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit, sepse ai është ndërtuar, institucionet ekzistojnë, administrata ekziston, edhe ligjet po ashtu. “Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër. Është aftësia e pushtetit për të vendosur kufij brenda vetvetes”, vijon Elisa Spiropali, duke u shfaqur sërish përballë Edi Ramës.
