Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet e protestave që po vijojnë prej 11 ditësh në Tiranë, duke theksuar se lëvizja qytetare ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e një kauze të vetme dhe është shndërruar në një reagim të gjerë kundër qeverisë.
Sipas saj, çështja e Zvërnecit ishte vetëm shkëndija që ndezi pakënaqësinë e akumuluar prej kohësh në shoqëri.
“Zvërneci ishte pika e vlimit. Nuk është një protestë vetëm për Zvërnecin. Ngjarjet e fundit zgjuan reagimin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët po kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për të drejtat e tyre,” u shpreh Lala.
Ajo vuri në dukje se një nga elementët më domethënës të protestave është pjesëmarrja e gjerë e të rinjve dhe e gjeneratës së re, e cila sipas saj po shfaqet për herë të parë në mënyrë kaq aktive në jetën publike dhe politike të vendit.
Lala theksoi se protesta po ruan vazhdimësinë dhe energjinë e saj, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e pandryshuar.
“Kërkesa është një e vetme: largimi i Edi Ramës. Në protestë ka qytetarë që kërkojnë ndryshim dhe më shumë transparencë. Askush nuk është kundër zhvillimit, por kërkohet konsultim publik dhe informim i plotë për projektet që prekin interesin e qytetarëve,” deklaroi ajo.
Sipas gazetares, vazhdimësia e protestës dhe pjesëmarrja qytetare do të jenë faktorët përcaktues për ndikimin që kjo lëvizje mund të ketë në zhvillimet politike të vendit.
