Qytetarët kanë nisur të mblidhen pasditen e kësaj të diele në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për t’iu bashkuar protestës së radhës kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe kundër politikave të qeverisë.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit po organizohen për marshimin tradicional që nis nga qendra e kryeqytetit dhe vijon drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me ndalesë përpara godinës së Kryeministrisë.
Protesta vjen në vijim të një serie tubimesh të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, si edhe në komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë. Organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ndodhet në Elbasan në aktivitetet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, ku gjatë fjalës së tij është ndalur edhe te rëndësia që, sipas qeverisë, investimi në Zvërnec do të ketë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Protestuesit, nga ana tjetër, kundërshtojnë projektin dhe kërkojnë ndryshime të thella në qeverisje dhe në legjislacionin që lidhet me investimet dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.
Kërkesat kryesore të protestuesve janë:
- Dorëheqja e qeverisë;
- Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike;
- Shfuqizimi i Paketës së Maleve;
- Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
- Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Tubimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes me fjalime, marshim qytetar dhe aktivitete sensibilizuese në qendër të Tiranës.
