Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet e SPAK për dosjet që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n. Sipas saj, Prokuroria e Posaçme ka kryer kontrolle të gjera në banesa dhe zyra të zyrtarëve të lartë dhe biznesmenëve të dyshuar si të përfshirë në këto çështje.
Lala deklaroi se janë marrë dhjetëra telefona celularë dhe pajisje kompjuterike, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorë të specializuar, përfshirë edhe ekspertë të huaj. Ajo theksoi se SPAK ka siguruar përgjime sekrete, ku sipas saj përfshihen edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Sipas gazetares, për çështjen Balluku janë dhënë 21 vendime individuale dhe janë ekzekutuar 34 urdhra kontrolli. Kontrollet janë zhvilluar te persona të afërt me zv/kryeministren, përfshirë bashkëpunëtorë të saj të ngushtë dhe drejtues institucionesh. Mes tyre janë sekuestruar pajisje elektronike të zyrtarëve të energjisë dhe biznesmenëve të lidhur me kontrata publike.
Lala bëri të ditur se SPAK po heton edhe koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar, i cili sipas saj ka një kosto shumë të lartë për buxhetin e shtetit, me dyshime se fituesi i kontratës ka qenë i paracaktuar. Ajo tha se ekzistojnë komunikime që forcojnë dyshimet për favorizim dhe shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së kontratës.
Paralelisht, vijon edhe hetimi për dosjen e AKSHI-t, ku po merren në pyetje persona të ndryshëm, si dhe një hetim i veçantë për disa zyrtarë të Policisë së Shtetit, pas zbulimit të materialeve të reja hetimore.
Gazetarja shtoi se SPAK po heton gjithashtu edhe zhdukjen e Daniel Shimës, ku kanë dalë elementë që ngrenë dyshime për rrëmbim. Sipas saj, hetimet janë ende në fazë aktive dhe priten zhvillime të rëndësishme në ditët në vijim.
