Analisti Ergys Mërtiri ka lëshuar një paralajmërim të fortë për zhvillimet politike dhe përplasjen mes qeverisë dhe drejtësisë, duke u ndalur te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe presioni i ushtruar ndaj institucioneve të pavarura.
Gjatë një analize televizive, Mërtiri u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë për të pezulluar masat e marra ndaj Ballukut, pasi kjo do të përbënte tejkalim kompetencash. Sipas tij, vetëm Gjykata e Posaçme ka të drejtën të vlerësojë provat dhe masat e sigurisë, ndërsa roli i Gjykatës Kushtetuese kufizohet vetëm në aspektin kushtetues.
“Çdo përpjekje për të bllokuar vendimet e drejtësisë do ta nxirrte Gjykatën Kushtetuese jashtë rolit të saj dhe do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm”, theksoi Mërtiri.
Ai shtoi se vendimet e fundit i kanë dhënë kryeministrit vetëm pak kohë shtesë, por jo një rrugë shpëtimi. Sipas analistit, Rama po përpiqet të fitojë kohë dhe të mbrojë Ballukun përmes presionit institucional, por kjo strategji është e destinuar të dështojë.
Mërtiri akuzoi hapur kryeministrin për sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar këtë institucion si segmentin më të shëndetshëm të drejtësisë shqiptare. Ai theksoi se SPAK jo vetëm që nuk është tërhequr nga presioni, por përkundrazi ka reaguar duke kërkuar masa më të forta ndaj Ballukut.
“Rama nuk mund ta shpëtojë Ballukun dhe nuk mund të shpëtojë as veten. Mbajtja e saj në detyrë rrit rrezikun e intimidimit të dëshmitarëve dhe prishjes së provave, gjë që vetëm sa e rëndon më tej situatën”, u shpreh ai.
Sipas Mërtirit, kjo përplasje nuk do të mbetet vetëm çështje e brendshme. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të dobësuar SPAK-un do të sjellë reagim të fortë ndërkombëtar dhe një qëndrim të unifikuar kundër qeverisë shqiptare.
Analisti shtoi se edhe partnerët strategjikë të Shqipërisë po ndjekin me vëmendje situatën dhe po përpiqen të garantojnë që institucionet e drejtësisë të mos bien nën presion politik. Sipas tij, mesazhi ndërkombëtar është i qartë: drejtësia nuk duhet të preket dhe askush nuk është mbi ligjin.
