Diaspora në Gjermani ngrihet në protestë: Qindra shqiptarë në Heidelberg kundër projektit në Zvërnec

Data

Qindra shqiptarë të diasporës janë mbledhur këtë të diel në Heidelberg të Gjermanisë për të protestuar kundër projektit të planifikuar për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.

Sipas organizatorëve, në tubim morën pjesë rreth 300 deri në 400 qytetarë, të cilët mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe kundër zhvillimeve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe interesin publik.

Mes pankartave të shfaqura gjatë protestës spikatnin mesazhe si: “Mos e shit Shqipërinë” dhe “Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan më shumë transparencë për projektin dhe mbrojtje të zonave të mbrojtura.

Tubimi në Heidelberg vjen në vazhdën e protestave që po zhvillohen prej disa ditësh në Shqipëri dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Mobilizimi u intensifikua pas incidentit të ndodhur një javë më parë në zonën e Zvërnecit, ku një protestues u përfshi në një përplasje me rojet private të sigurisë pranë territorit ku parashikohet realizimi i investimit.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar ditët e fundit edhe në qytete të tjera europiane dhe amerikane, ku diaspora shqiptare ka shprehur shqetësimet e saj për projektin në Zvërnec dhe ka kërkuar më shumë llogaridhënie nga institucionet shtetërore.

Organizatorët kanë paralajmëruar se reagimet dhe aktivitetet sensibilizuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, si pjesë e një mobilizimi më të gjerë qytetar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related