GJKKO cakton 18 qershorin për vijimin e gjyqit ndaj Metës dhe Kryemadhit

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të zhvillohet më 18 qershor, në orën 10:00.

Vendimi u mor pas përfundimit të seancës së sotme, gjatë së cilës ish-presidenti Ilir Meta paraqiti disa kërkesa procedurale, mes tyre transmetimin live të gjykimit dhe largimin nga kafazi i xhamit gjatë seancave gjyqësore.

Trupa gjykuese rrëzoi të dyja kërkesat, duke argumentuar se masat organizative të sigurisë nuk cenojnë të drejtat procedurale të të pandehurve dhe nuk pengojnë komunikimin me mbrojtjen ligjore.

Nga kërkesat e paraqitura, gjykata pranoi vetëm vënien në dispozicion të provave elektronike për ekipin mbrojtës, duke i dhënë akses mbrojtjes në materialet digjitale të administruara në dosjen hetimore.

Gjatë seancës, Meta mbajti një qëndrim kritik ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke akuzuar organin e akuzës për fshehje provash dhe mospërputhje në administrimin e dokumentacionit. Ai këmbënguli se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht dhe kërkoi që të gjitha provat të bëhen publike.

Me vendimin e sotëm, procesi gjyqësor do të vijojë më 18 qershor, kur pritet të shqyrtohen çështje të tjera procedurale dhe provat e paraqitura nga palët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related