Lëvizja kundër projektit të debatueshëm në Zvërnec ka paralajmëruar përshkallëzimin e aksionit qytetar, duke organizuar nesër një marshim në zonën e Plazhit të Dalanit dhe më pas një protestë të madhe në kryeqytet.
Përmes një njoftimi publik, aktivistët kanë bërë me dije se më 6 qershor qytetarët do të mblidhen në Zvërnec për të protestuar kundër ndërhyrjeve që, sipas tyre, rrezikojnë një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore të vendit.
Sipas organizatorëve, nisja nga Tirana do të bëhet në orën 08:00, pas Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërsa marshimi do të zhvillohet në zonën e Plazhit të Dalanit, pjesë e kompleksit natyror Vjosë-Nartë-Zvërnec.
Aktivistët theksojnë se qëllimi i marshimit është mbrojtja e lagunës, dunave ranore dhe biodiversitetit të zonës, të cilat i konsiderojnë pasuri kombëtare që duhet të ruhen për brezat e ardhshëm.
Pas përfundimit të marshimit në Zvërnec, protestuesit kanë njoftuar se do të rikthehen në Tiranë, ku në orën 18:00 do të zhvillojnë protestën e radhës në qendër të kryeqytetit.
Lëvizja qytetare ka zgjeruar tashmë kërkesat e saj përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec. Përfaqësuesit e protestës kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditët e tyre të njëpasnjëshme, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
