Nga protesta e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u prezantua zyrtarisht “Lëvizja e Re Qytetare”, një nismë që sipas organizatorëve synon të përfaqësojë kërkesat e qytetarëve të angazhuar në kundërshtimin e projektit të Zvërnecit dhe politikave të qeverisë.
Përfaqësues të lëvizjes deklaruan se pas pesë ditësh protestash të pandërprera në Tiranë, kanë vendosur të artikulojnë publikisht një platformë me pesë kërkesa që i cilësuan si të panegociueshme.
Sipas tyre, protesta organizohet dhe drejtohet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth mbrojtjes së interesit kombëtar dhe pasurive natyrore të vendit.
Pesë kërkesat e paraqitura janë:
- Dorëheqja e qeverisë;
- Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
- Shfuqizimi i “Paketës së Maleve”;
- Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
- Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Protestuesit deklaruan se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkuan që institucionet të reflektojnë ndaj kërkesave të paraqitura nga qytetarët.
