Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi i xhamit gjatë seancave gjyqësore.
Në një deklaratë për mediat, Haxhiu theksoi se procesi ndaj kreut të Partisë së Lirisë po ndiqet me interes të lartë nga opinioni publik dhe se transparenca duhet të jetë parimi kryesor gjatë zhvillimit të gjykimit.
Sipas saj, Meta duhet të ketë mundësinë të komunikojë lirshëm me avokatin e tij dhe të shpjegojë publikisht qëndrimet e tij lidhur me akuzat dhe hetimet që po zhvillohen ndaj tij.
“Interesi publik për të ndjekur këto seanca gjyqësore është shumë i madh dhe duhet respektuar e drejta e presidentit Ilir Meta për të informuar opinionin publik rreth hetimeve dhe çështjes ndaj tij. Duhet treguar se në të vërtetë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë akuzë ndaj tij”, deklaroi Haxhiu.
Deputetja e PL-së ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e komunikimit mes Metës dhe mbrojtjes së tij ligjore gjatë seancave gjyqësore, duke argumentuar se vendosja e tij në ambientin e ndarë me xham krijon pabarazi mes palëve në proces.
“Në perceptimin tim personal, nuk më duket se të dy palët janë në një raport të drejtë me njëra-tjetrën. Presidenti Ilir Metaj duhet të komunikojë me avokatin e tij përmes një vrime xhami ose të largohet nga seanca për të biseduar në një ambient tjetër. Në gjykimin tim, kjo krijon një raport të padrejtë”, u shpreh ajo.
Reagimi i Haxhiut vjen pasi GJKKO vendosi të mos pranojë kërkesën e Metës për të dalë nga kafazi i xhamit, duke argumentuar se masat organizative të sigurisë nuk cenojnë procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat procedurale të të pandehurit.
