Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po shqyrtohen çështjet penale ndaj tij.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Meta u shfaq i revoltuar, duke pretenduar se procesi ndaj tij është i politizuar dhe i mbështetur mbi interpretime të gabuara dhe fshehje faktesh nga organi i akuzës.
Ish-presidenti deklaroi se SPAK ka mbajtur të fshehura dokumente dhe letërporosi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, sipas tij, sqarojnë çështjen e pagesave të lobimit me kompaninë “McKeon Group”.
Meta u ndal gjithashtu te arrestimi i tij më 21 tetor, të cilin e cilësoi si një “rrëmbim zyrtar”, duke pretenduar se urdhri i arrestit iu komunikua me vonesë.
“Jam shumë i revoltuar. Në këtë proces ka pasur manipulime dhe fshehje faktesh. Për çështjen e lobimit është bërë vetëm një pagesë prej 15 mijë dollarësh, e miratuar me vendim kryesie dhe e kryer përmes sistemit bankar,” deklaroi ai para gjykatës.
Duke komentuar dokumentet e publikuara në sistemin amerikan FARA (Foreign Agents Registration Act), Meta tha se ato janë dokumente transparence dhe nuk përbëjnë prova penale.
Sipas tij, emri i tij nuk figuron në asnjë kontratë lobimi dhe marrëveshjet janë lidhur mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kompanive kontraktuese.
“FARA nuk është as gjykatë dhe as prokurori. Në asnjë kontratë nuk figuron nënshkrimi im. Kur nuk ka prova, tentohet që çështja të politizohet,” u shpreh Meta.
Ish-kreu i shtetit akuzoi gjithashtu prokurorët për fshehjen e dëshmive të mëparshme që, sipas tij, rrëzojnë akuzat aktuale, ndërsa kundërshtoi pretendimet për përfshirje në çështje financiare të lidhura me lobimin dhe CEZ-DIA.
Në fund të deklaratës së tij, Meta mbrojti ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi, duke theksuar se ajo nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprime që, sipas tij, lidhen vetëm me të.
“Unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi për çdo veprim timin individual. Zonja Kryemadhi nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA,” deklaroi Meta para trupës gjykuese.
Procesi ndaj ish-presidentit vijon në GJKKO, ndërsa SPAK po ndjek hetimet dhe procedurat gjyqësore lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij.
