Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të gjobisë Lëvizjen Vetëvendosje me 5,100 euro, pas ankesave të paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas vendimit të PZAP-it, shkelja lidhet me përfshirjen e një fëmije në një aktivitet zgjedhor të mbajtur më 30 maj në Vushtrri. Në tubimin elektoral, një vajzë rreth 10-vjeçare u ngjit në skenë dhe recitoi para pjesëmarrësve.
Paneli vlerësoi se pjesëmarrja aktive e të miturës përbën shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, i cili ndalon angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në aktivitete të fushatës zgjedhore.
Ankesat ndaj Vetëvendosjes u paraqitën nga LDK dhe IKD, të cilat kërkuan shqyrtimin e rastit për shkak të dyshimeve se ishte cenuar legjislacioni që mbron fëmijët nga përfshirja në aktivitete politike dhe elektorale.
Me vendimin e marrë, PZAP ka urdhëruar subjektin politik që gjobën prej 5,100 eurosh ta paguajë brenda 15 ditëve nga momenti kur vendimi të marrë formë të prerë.
Rasti konsiderohet ndër vendimet e para të procesit aktual zgjedhor që trajton respektimin e rregullave për mbrojtjen e të miturve gjatë aktiviteteve të fushatës politike.
