Viti 2025 ka qenë i jashtëzakonshëm për Paris Saint-Germain, që kulmoi me fitimin e Ligës së Kampionëve. Diferencën në këtë sezon e bëri sulmuesi francez Ousmane Dembele, i cili u shpall Lojtari më i Mirë në Botë në ceremoninë e çmimeve “Globe Soccer”.
Dembele mbylli një sezon perfekt, duke fituar Tripletën (kampionatin, Ligën e Kampionëve dhe Kupën), si edhe disa trofe të tjerë madhorë. Çmimi i “Globe Soccer” i shtohet një serie vlerësimesh individuale, duke e bërë 2025-ën vitin më të suksesshëm të karrierës së tij.
Në të njëjtën mbrëmje gala, Cristiano Ronaldo u nderua me çmimin Lojtari më i Mirë i Lindjes së Mesme. Ylli portugez, që luan në Arabinë Saudite, shënoi 41 gola gjatë vitit 2025 me klubin dhe kombëtaren, duke vazhduar ndjekjen e objektivit historik prej 1000 golash në karrierë. Aktualisht ai ka arritur në kuotën e 956 golave, duke konfirmuar se mbetet një nga figurat më të mëdha të futbollit botëror.
