Ish-administratori i biznesmenit Behgjet Pacolli, Valon Lluka, ka reaguar publikisht lidhur me debatin dhe akuzat e ngritura për procesin e shitblerjes së aksioneve në projektin e Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
Përmes një letre publike, Lluka deklaron se për muaj të tërë ka zgjedhur të heshtë, duke besuar se e vërteta duhet të mbrohet përmes institucioneve dhe dokumenteve zyrtare. Megjithatë, sipas tij, mohimi i dokumenteve të firmosura nga drejtuesit e kompanisë dhe akuzat ndaj personave që kanë zbatuar autorizimet e dhëna e kanë detyruar të reagojë.
Lluka thekson se në maj të vitit 2022 kompania Mabco Construction SA miratoi zyrtarisht shitjen e aksioneve të projektit dhe e autorizoi atë për realizimin e procedurave përkatëse. Sipas tij, vendimet janë nënshkruar, noterizuar dhe apostiluar në Zvicër.
Ai shton se në korrik të vitit 2023 është marrë një tjetër vendim për 47% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i shoqëruar me një prokurë të posaçme që i jepte të drejtën të nënshkruante dokumentacionin dhe të kryente regjistrimet ligjore.
Sipas Llukës, një kontratë shitblerjeje aksionesh nuk mund të realizohet pa vendim të aksionarëve dhe pa autorizime formale të kompanisë, ndaj pretendimet se procesi është kryer pa dijeninë e drejtuesve nuk qëndrojnë.
“Unë nuk kam nënshkruar asnjë dokument pa autorizim dhe nuk kam vepruar asnjëherë jashtë mandatit të dhënë. Kam bërë vetëm atë që dokumentet më kanë autorizuar të bëj”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Lluka ngre pyetjen nëse publiku duhet të besojë se administrata, juristët, menaxhmenti i lartë dhe bashkëpunëtorët e afërt të kompanisë kanë qenë të përfshirë në proces pa dijeni për atë që po ndodhte, duke argumentuar se dokumentacioni zyrtar dëshmon të kundërtën.
Ai nënvizon se gjatë 18 viteve të angazhimit profesional nuk ka vepruar kurrë kundër interesave të kompanisë dhe se ka vendosur të publikojë një pjesë të dokumenteve dhe komunikimeve zyrtare për të provuar se procesi është zhvilluar mbi bazë vendimesh institucionale dhe autorizimesh të rregullta.
“E vërteta nuk mbrohet nga zhurma, por nga dokumentet”, përfundon deklarata e ish-administratorit.
