Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi statutin e ri të partisë, duke vulosur një paketë ndryshimesh që synojnë modernizimin e strukturave dhe rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje.
Gjatë prezantimit të ndryshimeve, Gazmend Bardhi theksoi se statuti i ri garanton funksionimin demokratik të partisë dhe ruan parimin që pushteti vendimmarrës t’u përkasë anëtarëve.
“PD është e vetmja forcë politike ku vullneti i anëtarit ka peshë reale në vendimmarrje dhe ky është një standard që duhet ruajtur”, u shpreh Bardhi.
Një nga pikat që mbetet e pandryshuar është i ashtuquajturi “Neni Basha”, i cili parashikon dorëheqjen e kryetarit të partisë në rast humbjeje në zgjedhjet parlamentare.
Ndër risitë më të rëndësishme të statutit të ri është krijimi i Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave, një strukturë autonome që do të filtrojë kandidaturat për deputetë dhe kryetarë bashkish përpara procesit të Primareve.
Po ashtu, statuti i ri rrit ndjeshëm përfaqësimin e diasporës shqiptare, duke garantuar që 15 për qind e vendeve në organet drejtuese dhe listat zgjedhore të rezervohen për përfaqësuesit e saj.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është rritja e kuotës së përfaqësimit të grave dhe vajzave nga 30 në 40 për qind, duke synuar forcimin e rolit të tyre në strukturat drejtuese të partisë.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu forcimin e organizimit bazë të partisë, rritjen e rolit të grupseksioneve, përmirësimin e bashkëpunimit mes degëve dhe këshilltarëve vendorë, si dhe mbrojtjen më të fortë të të dhënave personale të anëtarësisë.
Sipas drejtuesve të PD-së, statuti i ri synon ta bëjë partinë më të hapur, më përfaqësuese dhe më funksionale në përballjen me sfidat politike të viteve në vijim.
