Rama mesazh gjyqësorit: Askush s’ka gurin për të goditur shumicën, tre pushtetet janë njësoj të pavarura

Data

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, ku ka prezantuar nismën ligjore për ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se qëllimi i ndryshimeve është forcimi i ndarjes së pushteteve dhe përcaktimi më i qartë i kufijve kushtetues mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit. Sipas tij, interpretimet e deritanishme kanë krijuar hapësira për ndërhyrje në territorin e pushteteve të tjera.

“Pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur dhe të tjerët qenkan të varur? Kushtetuta e thotë qartë se ka tre pushtete të pavarura. Edhe ekzekutivi dhe legjislativi janë po aq të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se pezullimi i një funksioni kushtetues nga një gjykatë në fazë paraprake, para nisjes së gjykimit, përbën ndërhyrje në funksionimin e institucioneve. Sipas tij, pezullimi nuk prek vetëm individin, por cenon drejtpërdrejt institucionin që ai përfaqëson.

“Askush të mos mendojë se ka në dorë gurin për të goditur shumicën qeverisëse. Kjo nuk ka të bëjë me lëkundjen e vullnetit tonë për të mbështetur pavarësinë e drejtësisë, por me nevojën për të respektuar ndarjen e pushteteve”, tha Rama.

Ai shtoi se nisma nuk lidhet me një rast konkret, por synon të shmangë interpretimet e ndryshme që, sipas tij, vijnë si pasojë e “boshllëqeve” në formulimin aktual të ligjit. Rama theksoi se ndryshimet do të miratohen me votën e shumicës parlamentare.

Në fjalën e tij, kryeministri përmendi edhe çështjen e paraburgimeve, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare që, sipas tij, evidentojnë problematika në sistemin e drejtësisë, përfshirë përqindjen e lartë të personave të paraburgosur pa një vendim përfundimtar.

Debati për ndryshimet ligjore vjen në një moment kur SPAK ka kërkuar masa ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa mazhoranca argumenton se reforma synon qartësi kushtetuese dhe jo zgjerim imuniteti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related