Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar statutin e ri të forcës politike, duke shënuar një nga vendimet më të rëndësishme organizative pas rizgjedhjes së Sali Berisha në krye të partisë.
Punimet e Kuvendit nisën paraditen e së shtunës dhe u hapën nga Erisa Bajaziti, përfaqësuese e diasporës shqiptare në Bruksel, e cila ishte gjithashtu kandidate e PD-së në zgjedhjet parlamentare.
Gjatë mbledhjes, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, prezantoi ndryshimet statutore që më pas morën miratimin e delegatëve të Kuvendit.
Një nga momentet kryesore të ditës është edhe procesi i votimit për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, organi më i lartë vendimmarrës i partisë mes dy kuvendeve, i cili pritet të luajë rol të rëndësishëm në drejtimin dhe organizimin e Partisë Demokratike në vitet e ardhshme.
Sipas drejtuesve të PD-së, ndryshimet statutore synojnë modernizimin e strukturave, rritjen e përfaqësimit të të rinjve, grave dhe diasporës, si dhe forcimin e funksionimit të brendshëm të partisë.
Ndërkohë, është bërë e ditur se statuti i ri nuk prek të ashtuquajturin “Neni Basha”, që lidhet me përgjegjësinë politike pas humbjes së zgjedhjeve, si dhe nuk ndryshon mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.
Me miratimin e statutit dhe zgjedhjen e strukturave të reja, Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe orientimin politik dhe organizativ të Partisë Demokratike për periudhën e ardhshme.
