Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, ka reaguar nga Kryesia e Kuvendit lidhur me operacionin e fundit anti-drogë në Itali, ku dhjetëra të rinj shqiptarë janë përfshirë në rrjete të organizuara të trafikut të kokainës.
Sipas Balliut, ky operacion është “pasqyra më e qartë e Shqipërisë që ka ndërtuar” Edi Rama gjatë viteve të fundit.
Ai deklaroi se situata nuk lidhet vetëm me ekzistencën e disa grupeve kriminale, por me atë që e cilësoi si pasojë direkte të një qeverisjeje që, sipas tij, ka bashkëjetuar me krimin e organizuar dhe e ka toleruar atë për interesa politike dhe elektorale.
“Edi Rama premtoi shtet europian, por ndërtoi një realitet ku kartelet shqiptare të drogës janë fuqizuar deri në atë pikë sa po rekrutojnë fëmijët tanë dhe po i kthejnë në trafikantë droge në Europë”, u shpreh Balliu.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se ka zgjedhur propagandën në vend të luftës kundër krimit, ndërsa sipas tij bandat kriminale janë forcuar dhe kanë shtrirë ndikimin në sektorë të ndryshëm të vendit.
“Sot të rinjtë shqiptarë, edhe pa precedentë penalë, përdoren si ushtarë të drogës nga organizatat kriminale”, deklaroi ai.
Balliu tha se një brez i tërë është rritur gjatë viteve të fundit përballë modelit të drogës, luksit kriminal dhe parave të pista, në mungesë të mundësive dhe shpresës për të ardhmen.
Ai shtoi se përgjegjësia politike dhe morale për këtë situatë bie mbi qeverinë, ndërsa u bëri thirrje prindërve shqiptarë që të mbrojnë të rinjtë nga ndikimi i grupeve kriminale.
“Shqipëria meriton një të ardhme ku të rinjtë ndërtojnë jetën me punë dhe meritë, jo me drogë, trafik dhe dhunë mafioze”, përfundoi Balliu.
