Deputetja e Partia Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar përmes një video-deklarate lidhur me rikthimin e mandatit të këshilltares bashkiake të Sarandës, Edlira Gjidede, pas një beteje ligjore në Gjykatën Administrative të Lushnjës.
Sipas Zhupës, mandati i Gjidede ishte hequr në mënyrë të padrejtë nga Këshilli Bashkiak i Sarandës, pavarësisht se institucionet shtetërore kishin konfirmuar se nuk ekzistonte asnjë papajtueshmëri apo konflikt interesi.
Deputetja demokrate deklaroi se beteja nisi në tetor të vitit 2024, kur Këshilli Bashkiak votoi për heqjen e mandatit të këshilltares me argumentin se ajo ushtronte detyrën e edukatores në kopshtet e Sarandës, ndërsa mbante edhe mandatin si këshilltare bashkiake.
Zhupa theksoi se PD iu drejtua Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe ILDKPI, institucione që sipas saj konfirmuan me shkresa zyrtare se nuk kishte shkelje ligjore apo konflikt interesi.
“Ne u detyruam të vinim të bënim një betejë ligjore në Gjykatën Administrative në Lushnjë. Sot kemi arritur që të fitojmë mbrapsht mandatin e qytetarëve të Sarandës”, u shpreh Zhupa.
Ajo e cilësoi vendimin e gjykatës si një fitore për mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe përfaqësimit të tyre në institucionet vendore.
Sipas deputetes demokrate, Edlira Gjidede do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Sarandës për të vijuar përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
Zhupa shtoi se Partia Demokratike do të vazhdojë betejën politike dhe ligjore për mbrojtjen e votës dhe përfaqësimit të qytetarëve në pushtetin vendor.
