Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar mediat kombëtare në vend për favorizim të qeverisë në hapësirat informative, duke deklaruar se opozita po censurohet sistematikisht në edicionet e lajmeve.
Gjatë një konference për shtyp në selinë blu, Berisha tha se monitorimet e kryera nga opozita tregojnë se qeveria merr deri në dhjetëfish më shumë kohë televizive krahasuar me opozitën.
Sipas tij, kjo situatë përbën shkelje të parimit të “par condicio”, që garanton trajtim të barabartë mediatik për palët politike në demokraci.
“Në qoftë se hyni dhe monitoroni, rezultati është tipik i një diktature autoritare”, deklaroi Sali Berisha.
Ai publikoi shifra konkrete nga monitorimi i edicioneve informative të disa televizioneve kombëtare.
Për Top Channel, Berisha pretendoi se në edicionet e lajmeve të datës 13 maj qeveria kishte marrë 23 minuta e 13 sekonda kohë televizive, ndërsa opozita vetëm 3 minuta e 30 sekonda.
Në një tjetër edicion, sipas tij, opozita kishte marrë vetëm 1 minutë e 45 sekonda përballë mbi 12 minutave të qeverisë.
Berisha kritikoi ashpër edhe TV Klan, duke deklaruar se televizioni kishte transmetuar rreth 18 minuta e 52 sekonda për qeverinë dhe vetëm 3 minuta e 40 sekonda për opozitën.
Ndërkohë për Vizion Plus, kreu i opozitës tha se raporti ishte më i balancuar, edhe pse sipas tij qeveria kishte sërish më shumë hapësirë mediatike.
Ai akuzoi gjithashtu RTSH dhe drejtuesen e lajmeve, Eni Vasili, për favorizim të qeverisë.
Sipas Berishës, televizioni publik i kishte dhënë qeverisë mbi 10 minuta kohë televizive, ndërsa opozitës vetëm 1 minutë e 35 sekonda.
Në deklaratën e tij, Sali Berisha i cilësoi televizionet kombëtare si “mamuthë mediatikë që ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, duke i akuzuar për shërbim ndaj qeverisë dhe censurë ndaj opozitës.
