Sot 1 vit nga arrestimi i Erion Veliajt në zyrë, akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut të Tiranës

Data

Sot shënohet një vit nga arrestimi në zyrë i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një ngjarje që tronditi skenën politike dhe institucionale në vend. Arrestimi u krye më 10 shkurt, gjatë një aktiviteti zyrtar, kur agjentë të Prokurorisë së Posaçme i komunikuan masën e arrestit me burg në ambientet e institucionit që ai drejtonte.

Hetimi ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kishte nisur disa muaj më parë, me intensifikimin e veprimeve hetimore nga SPAK. Gjatë kësaj periudhe u ushtruan kontrolle në Bashkinë e Tiranës, në banesa dhe ambiente të tjera të lidhura me çiftin, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale të konsideruara prova kyçe për hetimin penal.

Sipas dosjes hetimore, ndaj kryebashkiakut rëndojnë akuza të rënda që lidhen me korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Në hetim janë përfshirë gjithashtu rreth 18 persona fizikë dhe disa subjekte juridike, të dyshuar për përfshirje në skema financiare të paligjshme dhe transaksione të dyshimta.

Procesi gjyqësor po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me një trupë gjykuese të përzgjedhur përmes shortit elektronik. Për shkak të numrit të madh të të pandehurve dhe kompleksitetit të çështjes, pritet që gjykimi të zgjasë në kohë.

Gjatë këtij viti janë shënuar përplasje procedurale mes SPAK dhe mbrojtjes ligjore të Veliajt, ku avokatët kanë pretenduar zvarritje të procesit dhe mungesë dëgjimi, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin dhe se shkresat janë dorëzuar sipas afateve ligjore.

Çështja konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme penale ndaj një zyrtari të lartë vendor dhe pritet të ketë ndikim të fortë politik dhe institucional, ndërsa drejtësia do të duhet të shprehet mbi përgjegjësinë penale të të gjithë të pandehurve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related