Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi reagojnë për aferën “CEZ-DIA”, mohojnë akuzat dhe flasin për “sajesa”

Data

Ilir Meta ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me lajmet se SPAK ka zbuluar një mesazh ku pretendohet se ai i kërkon 200 mijë euro Kastriot Ismailajt, në kuadër të hetimeve për aferën “CEZ-DIA”.

Në reagimin e tij, Meta mohoi ekzistencën e shumës së përmendur dhe vuri në dyshim autenticitetin e mesazhit.

“Dua t’ju siguroj se ‘eurot’ ekzistojnë vetëm në dëshirën dhe imagjinatën e prokurorëve”, deklaroi Meta, duke shtuar se në mesazhin e pretenduar nuk përmenden as euro, as dollarë dhe se ai në atë periudhë ishte deputet opozitar pa funksione qeveritare.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e një reagimi nga pala marrëse e mesazhit dhe mbi garancitë për origjinën e SMS-së.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi deklaroi në një intervistë televizive se historia e aferës “CEZ-DIA” nisi nga një shkrim i gazetares Lindita Çela, të cilin sipas saj ajo e kishte marrë nga Lulzim Basha.

Deklarata e Kryemadhit solli reagimin e menjëhershëm të gazetares Lindita Çela, e cila e cilësoi këtë pretendim si sulm ndaj integritetit të saj profesional dhe mohoi kategorikisht çdo lidhje politike me raportimet për çështjen.

Në reagimin e saj publik, Çela theksoi se investigimet për aferën “CEZ-DIA” janë bazuar vetëm në punë investigative dhe jo në materiale të siguruara nga politikanë.

“Sot, unë, Lindita Çela drejtoj një ndër të paktat media në vend, krejtësisht të pavarura, që quhet shteg.org”, shkroi ajo, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës së saj nuk është urdhëruar nga asnjë aktor politik.

Gazetarja kujtoi gjithashtu se edhe vite më parë, kur publikoi shkrimet mbi aferën, ishte sulmuar publikisht nga Ilir Meta, i cili në atë kohë e kishte cilësuar “gazetare të papërgjegjshme”.

Në reagimin e saj, Çela deklaroi se akuzat aktuale ndaj saj po përdoren për të ndërtuar një narrativë politike mbi pafajësinë e ish-çiftit politik përballë hetimeve të drejtësisë.

Çështja “CEZ-DIA” mbetet një nga dosjet më të diskutuara të korrupsionit në Shqipëri dhe po ndiqet nga SPAK, ndërsa proceset gjyqësore vijojnë në GJKKO.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related