Ylli Pango dëshmon më 20 maj në GJKKO për aferën “Partizani”, dosja e SPAK zbardh debatet në qeverinë e Sali Berishës

Data

Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” do të zhvillohet më 20 maj, ku pritet të dëshmojë edhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.

Dëshmia e tij konsiderohet kyçe për një nga episodet më të debatueshme të çështjes që ka çuar në gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Sipas dosjes së SPAK, një nga provat kryesore është procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës 18 qershor 2008, ku është diskutuar ndryshimi i nenit 31 të ligjit për sportin.

Amendamenti i propozuar parashikonte që objektet sportive të mund të privatizoheshin nga pronarët e truallit, duke hapur rrugën për ndryshimin e destinacionit të tyre.

Sipas prokurorëve, ky ndryshim ligjor favorizoi drejtpërdrejt interesat e Jamarbër Malltezi dhe ortakëve të tij, të cilët kishin planifikuar ndërtimin e kullave mbi territorin e kompleksit sportiv “Partizani”.

Në dosje thuhet se vetëm pak muaj më herët, ministri i Sportit, Ylli Pango, kishte mbështetur një formulim tjetër ligjor, i cili lejonte vetëm dhënien me koncesion të objekteve sportive dhe ndalonte ndryshimin e destinacionit.

Sipas SPAK-ut, rikthimi i amendamentit në qeveri dhe mbështetja e tij nga Berisha përbëjnë element të rëndësishëm në hetimin për korrupsion.

Në procesverbalin e mbledhjes së qeverisë përfshihen edhe debate mes ministrave lidhur me fatin e objekteve sportive në Tiranë.

Në një prej pasazheve të cituara në dosje, Sali Berisha shprehet:

“Po t’i them unë pronarit se do ta mbash ti këtë për sport, unë them para teje. Këtë i them, po se çfarë bën ai, atëherë nuk më intereson më.”

Ndërsa ish-ministri Ekrem Spahia paralajmëronte se disa terrene sportive mund të zhdukeshin, Berisha sipas procesverbalit është përgjigjur:

“Që të gjitha t’i marrin pronarët. Nuk ekzistojnë më stadiume brenda qyteteve si në Tiranë.”

SPAK pretendon se ndryshimet ligjore dhe vendimmarrjet qeveritare krijuan kushtet për privatizimin e kompleksit sportiv dhe ndërtimin e projektit imobiliar, nga i cili sipas hetimit Jamarbër Malltezi përfitoi miliona euro.

Familja Berisha ka mohuar akuzat, duke deklaruar se Malltezi ishte vetëm një nga shumë pronarët përfitues dhe se vendimet janë marrë në përputhje me ligjin.

Procesi gjyqësor për aferën “Partizani” vijon në GJKKO, ndërsa dëshmia e Ylli Pango pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të seancave të ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related