Tirana do të mirëpresë në muajin qershor samitin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukraina, në një takim të fokusuar te siguria europiane dhe mbështetja ndaj Kievit përballë agresionit rus.
Takimi konsiderohet një tjetër moment i rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, pas samitit të parë për Ukrainën të zhvilluar më 28 shkurt 2024, ku liderët e rajonit dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përcollën një mesazh të përbashkët mbështetjeje ndaj Ukrainës.
Këtë herë diskutimet do të zhvillohen në nivel ministrash të Jashtëm dhe pritet të fokusohen te kërcënimet hibride, dezinformimi, siguria energjetike dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas një takimi me homologun ukrainas, deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në një reagim në platformën X, Hoxha theksoi se gjatë bisedimeve u diskutua për zhvillimet më të fundit në Ukrainë dhe situatën e sigurisë në Evropë.
“Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur”, shkroi ai.
Samiti në Tiranë shihet si një tjetër sinjal i angazhimit të vendeve të rajonit për koordinim më të ngushtë me partnerët europianë dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj Ukrainës në kushtet e luftës me Rusia.
