Emërimi i Ferit Hoxhës në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shkaktuar reagime dhe polemika, veçanërisht për shkak të rolit që ai ka pasur në negociatat për marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë në vitet 2009–2010.
Kapiteni i Rangut të Parë dhe ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare të Shqipërisë, Artur Meçollari, ka ngritur dyshime se kjo lëvizje politike mund të lidhet me përpjekjet për të zgjidhur çështjen e kufirit detar me Athinën.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar erdhën pas zhvillimeve të fundit politike, ndërsa nga posti i ministres së Jashtme u largua Elisa Spiropali dhe në vend të saj u emërua Ferit Hoxha, një diplomat karriere që më parë ka shërbyer edhe si ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, emri i Hoxhës lidhet me negociatat për marrëveshjen detare të vitit 2009 me Greqinë, kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe pjesë e ekipit negociator.
Kjo marrëveshje u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendim unanim, pasi u konsiderua antikushtetuese dhe u argumentua se cenonte integritetin territorial të vendit. Pas këtij vendimi, çështja u dërgua edhe në Prokurori, por në vitin 2017 ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla vendosi të mos niste hetime.
Sipas Meçollarit, emërimi i Hoxhës në krye të diplomacisë shqiptare mund të lidhet me rifillimin e procesit për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar me Greqinë, e cila prej vitesh mbetet e hapur.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka deklaruar më herët se një nga opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje është dërgimi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Reagime për emërimin e Hoxhës kanë ardhur edhe nga pala greke. Eurodeputeti Fredi Beleri e ka vlerësuar atë si një diplomat të respektuar në Bruksel dhe ka shprehur shpresën që ai të ketë mundësi të ushtrojë detyrën në mënyrë të pavarur.
Sipas kritikëve të marrëveshjes së vitit 2009, rikthimi në skenë i një prej figurave kyçe të negociatave të asaj kohe shton pikëpyetjet për mënyrën se si mund të trajtohet në të ardhmen çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
