Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme ndaj Ilir Metës u shoqërua me akuza të forta nga Prokuroria e Posaçme, e cila paraqiti prova dhe komunikime që sipas SPAK implikojnë ish-presidentin në aferën “CEZ-DIA”, lobimet në SHBA dhe marrëdhëniet me biznesmenin Ardian Shatku dhe Kastriot Ismailajn.
Prokurori special Sotir Kllapi deklaroi në sallën e gjyqit se hetimet kanë evidentuar lidhje të ngushta mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Sipas tij, ekziston një mesazh i vitit 2009 ku Meta i kërkon Ismailajt 200 mijë euro.
“Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”, lexoi prokurori nga materiali hetimor.
Pretendimi u kundërshtua nga avokati Kujtim Cakrani, i cili deklaroi se mesazhi nuk ndodhet në dosjen që disponon mbrojtja.
SPAK foli edhe për çështjen e lobimit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se Meta dhe Monika Kryemadhi kanë qenë në dijeni të plotë të marrëveshjeve dhe kanë ushtruar ndikim për interesat e biznesmenit Ardian Shatku në sektorin e fibrave optike dhe në çështjen CEZ-DIA.
Sipas prokurorit, Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar në institucione shtetërore për të favorizuar kompaninë e Shatkut.
“Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut”, deklaroi Kllapi.
Në sallë u lexuan edhe komunikime që sipas SPAK lidhen me negociimin e kontratave dhe interesat ekonomike të përfshira në këtë çështje. Prokuroria pretendon gjithashtu se Kryemadhi ka përdorur karta bankare të biznesmenit Ardian Shatku.
Në lidhje me masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, prokurori argumentoi se nuk ekziston asnjë rrethanë e re që justifikon ndryshimin e saj.
“Veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet Ilir Meta shtrihet nga viti 2009 deri në vitin 2017. Rrezikshmëria shoqërore është evidente”, tha Kllapi.
SPAK kërkoi rrëzimin e kërkesës së mbrojtjes për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke theksuar se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk sjell elemente të reja për këtë proces.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
