Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” vijoi në Gjykatën e Posaçme me dëshmitë e ish-drejtuesve të klubit dhe zyrtarëve të përfshirë në procedurat e kthimit të pronave, ndërsa seanca u shoqërua me debate mes prokurorisë dhe mbrojtjes.
I pari që dëshmoi ishte Afrim Tola, ish-drejtor i Klubit Shumësportësh “Partizani” në vitet 2006-2008. Ai përshkroi gjendjen e amortizuar të kompleksit sportiv dhe mungesën e financimeve.
“Kur u bëra drejtor, ambienti ishte i amortizuar. Në këto ambiente ishin edhe familje informale”, deklaroi Tola.
Më pas dëshmoi Bujar Labinoti, ish-drejtor i klubit në vitin 1992, i cili tha se klubi ka qenë nën juridiksionin e shtetit deri në vitin 2000, kohë kur nisi privatizimi dhe lëvizjet e ish-pronarëve.
Sipas tij, “Xhimi Begeja është paraqitur në klub bashkë me Saliagën, bënin veprimet e tyre për pronat”.
Një nga dëshmitë më të komentuara ishte ajo e Albert Xhanit, president i klubit nga viti 2000 deri në vitin 2013. Ai deklaroi se kishte investuar në terrenet sportive dhe se ndryshimi i destinacionit të tokës nga Bashkia e Tiranës shkatërroi projektin sportiv.
“Nëse do të ndryshonte destinacioni, mbaroi filmi. I rashë telefonit të kryetarit të Bashkisë, nuk ma ngriti. Shkaktari që ne ngelëm pa terrene sportive ishte kryetari i Bashkisë, Edi Rama”, u shpreh Xhani në sallën e gjyqit.
Ai shtoi se kishte investuar rreth 200-300 mijë euro në fushat sportive dhe rikonstruksionin e ambienteve, por nuk kishte marrë mbështetje financiare nga shteti.
Në seancë dëshmoi edhe topografi Petrit Kullolli, i cili foli për procedurat teknike të verifikimit të pronave në vitet 2005-2009.
“Kemi bërë matje fizike dhe jemi bazuar në dokumentet kadastrale dhe hartën e vitit 1937”, tha ai.
Po ashtu u pyet edhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit të Pronave, Dhurata Çela, e cila shpjegoi procedurat administrative për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Seanca u shoqërua edhe me debat procedural lidhur me dëshminë e Isa Tares. Prokuroria kërkoi leximin e deklarimeve të tij të mëparshme, pasi familjarët pretendojnë se ai vuan nga demenca, por kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja.
Për seancën e ardhshme janë thirrur si dëshmitarë Ylli Pango, Tedis Lubonja, Paro Laçi, Altin Ceni dhe Violeta Shqevi.
Me interes pritet dëshmia e Paro Laçit, i cili më herët ka pretenduar publikisht se është kërcënuar nga Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi për këtë çështje.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
