Edi Rama dhe negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, zhvilluan një konferencë për mediat mbi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Gjatë deklaratës së tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të mirë sa i përket avancimit të negociatave, duke ndalur veçanërisht te standardet në fushën e prokurimeve publike.
Kryeministri iu referua edhe një raporti të Gjykatës Europiane të Llogarive, ku sipas tij evidentohen problematika në vendet e BE-së lidhur me konkurrencën në prokurimet publike.
“Raporti flet për mungesë ndërgjegjësimi mbi faktin që konkurrenca është një element kyç për prokurimet publike”, deklaroi Rama.
Ai krahasoi të dhënat e Shqipërisë me mesataren europiane për kontratat me një ofertues, duke theksuar se në vendet e BE-së mesatarja është 32.3%, ndërsa në Shqipëri 23.5%.
Sipas Ramës, ky indikator tregon se niveli i konkurrueshmërisë në prokurimet publike në Shqipëri është më i mirë krahasuar me mesataren europiane në këtë aspekt.
