SPAK i ka dërguar një shkresë KQZ lidhur me kryebashkiakun socialist të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ku theksohet se ai rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në Greqi.
Sipas dokumentit të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdari është dënuar më 23 qershor 1999 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë për hyrje të paligjshme në territorin grek. Në atë kohë ai ishte 17 vjeç dhe ndaj tij ishte vendosur masë riedukimi si i mitur.
Ky dënim nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, çka çoi më pas në hetimet e SPAK.
Kryebashkiaku i Kuçovës u dënua nga GJKKO për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”. Në janar 2024, gjykata zëvendësoi dënimin me burg me 150 orë punë në interes publik.
SPAK ia komunikoi akuzën Hajdarit vetëm një ditë pasi KQZ vendosi të mos i ndërpriste mandatin si kryebashkiak.
