Zëvendëspresidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë që parashikon trajtime hormonale për të mitur, duke e cilësuar atë një vendim të marrë pa transparencë dhe pa konsultim publik.
Në një deklaratë për mediat para Ministrisë së Shëndetësisë, Xhixho tha se bëhet fjalë për një çështje tepër të ndjeshme që prek drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet shqiptare, ndërsa akuzoi qeverinë se ka shmangur debatin publik dhe konsultimin me ekspertët dhe prindërit.
“Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që parashikon trajtime hormonale për të mitur nga 14 vjeç, duke hapur rrugën për ndërhyrje me pasoja afatgjata në jetën e fëmijëve. Në një çështje kaq të ndjeshme, shteti ka detyrimin të garantojë transparencë të plotë dhe mbrojtjen maksimale të interesit të fëmijës”, u shpreh ajo.
Sipas Xhixhos, në disa vende europiane politika të ngjashme janë rishikuar për shkak të debateve mbi efektet afatgjata të këtyre trajtimeve, ndërsa Shqipëria po ecën përpara pa një diskutim të gjerë publik.
Ajo kritikoi gjithashtu prioritetet e qeverisë në sektorin e shëndetësisë, duke deklaruar se shumë pacientë përballen me mungesë ilaçesh dhe shërbimesh bazë.
“Është hipokrizi që një qeveri pretendon se kujdeset për shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që pacientët me kancer përballen me mungesën e ilaçeve jetike. Në këtë situatë dramatike, qeveria gjen fonde për trajtime hormonale, por jo për barnat që shpëtojnë jetë”, tha Xhixho.
Deputetja e Partisë së Lirisë njoftoi se, në cilësinë e anëtares së Komisionit të Shëndetësisë, do të kërkojë me urgjencë një seancë dëgjimore me ministren e Shëndetësisë për të marrë sqarime mbi udhëzimin dhe procedurat e ndjekura për miratimin e tij.
“Koha për llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi”, përfundoi deklaratën e saj Erisa Xhixho.
