Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protesta e opozitës në Tiranë ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për izolim dhe përpjekje për të shpëtuar politikisht.
Berisha u shpreh se mediat botërore kanë pasqyruar jo vetëm tensionet dhe ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve, por edhe arsyet që sipas tij çuan qytetarët në protestë.
“Shiko çfarë jehone të jashtëzakonshme i kanë dhënë, qoftë dhunës policore ndaj kryengritësve paqësorë, por qoftë dhe shkaqeve themelore të kësaj kryengritjeje”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat theksoi se opozita do të vazhdojë rrugën e protestave paqësore, të cilën e cilësoi si një “rrugë të sigurt”, ndërsa pretendoi se Rama ndodhet në një situatë të vështirë politike.
“Edi Rama është në rreth të kuq. Me asgjë nuk do mund të blejë mburojë për lëkurën e vet”, u shpreh Berisha gjatë komunikimit online.
Deklaratat e tij vijnë pas protestës së opozitës në kryeqytet, e cila u shoqërua me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si edhe akuza të forta politike nga të dyja palët.
