Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë protestat kundër qeverisë, duke paralajmëruar se aksioni politik nuk do të ndalet pa përballjen me drejtësinë të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë bashkëbisedimit të fundjavës me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi situatën politike në vend si një “terror real” të ushtruar nga qeveria ndaj kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve.
“Jemi në një situatë terrori. Një terror real ushtrohet nga narkoqeveria me të gjitha mjetet që njerëzit të heshtin”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat tha se opozita nuk mund të heshtë, pasi sipas tij kjo do të nënkuptonte “çimentimin” e pushtetit të Ramës për vite të tjera. Ai u bëri thirrje demokratëve të organizohen më fort, duke theksuar se beteja aktuale është një përballje me atë që ai e konsideron diktaturë.
“Nuk e ndërpresim kurrë protestën pa Lubi Ballukun në burg, pa Edi Ramën para gjyqit”, u shpreh Berisha gjatë komunikimit online.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së iu referua edhe raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri, duke pretenduar se dokumenti evidenton përdorimin e strukturave shtetërore në procesin zgjedhor.
Berisha theksoi se opozita do të vazhdojë protestat dhe aksionin politik deri në “përmbysjen e regjimit” dhe rikthimin e asaj që ai e quajti “votë e lirë” në vend.
