Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Belind Këlliçi, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës që do të mbahet sot në Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi deklaroi se qytetarët duhet të dalin në protestë për të kundërshtuar, sipas tij, arrogancën e qeverisë dhe shkeljen e ligjit.
“Shqipëria dhe shqiptarët po sfidohen rëndë nga kjo arrogancë, nga kjo shkelje e parimeve dhe normave ligjore e kushtetuese. Sot në shesh, në orën 19:00, është rasti të tregojmë se nuk jemi skllevër të këtij sistemi të Edi Ramës”, shkroi ai.
Në reagimin e tij, Këlliçi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe dy ish-zyrtareve të larta të qeverisë, duke pretenduar se ato po trajtohen si “mbi ligjin”.
Ai iu referua ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se ato ndodhen të lira pavarësisht hetimeve ndaj tyre.
Sipas Këlliçit, “imuniteti” i tyre lidhet me dijeninë që ato kanë për çështje që, sipas tij, implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Rama.
“Ka vetëm një shpjegim. Dijenia dhe provat që ato kanë për autorin kryesor të këtyre veprave penale, që është Edi Rama”, deklaroi deputeti demokrat.
Protesta e opozitës pritet të mbahet sot në orën 19:00 para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
