Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian sqarime lidhur me funksionimin e opozitës dhe standardet demokratike në Shqipëri.
Lëvizja vjen pas një letre të deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ku ngriheshin shqetësime për situatën në parlament dhe procesin e integrimit europian të vendit.
Në letrën drejtuar Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, McAllister kërkon vlerësim mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës, si dhe mbi respektimin e rolit kushtetues të opozitës si instrument kontrolli demokratik.
Sipas shqetësimeve të përcjella nga Tabaku, opozita, shoqëria civile dhe publiku nuk kanë akses të mjaftueshëm në informacion mbi negociatat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në letrën e tij, McAllister paralajmëron se një proces integrimi i dominuar vetëm nga ekzekutivi dhe që lë jashtë opozitën mund të dëmtojë standardet demokratike dhe besueshmërinë e vetë procesit të zgjerimit të BE-së.
Ai thekson se Shqipëria, si një nga vendet që konsiderohet ndër më të avancuarat në procesin e integrimit, duhet të garantojë standarde demokratike, transparencë institucionale dhe një proces të bazuar në meritë dhe bashkëpunim politik.
