Qindra qytetarë nga qarku i Fierit pritet t’i bashkohen protestës kombëtare të opozitës që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Sipas organizatorëve lokalë të Partisë Demokratike, nga Fieri drejt kryeqytetit do të udhëtojnë rreth 700 qytetarë, të organizuar nga dega e PD-së dhe drejtuesi i komanduar i saj, Ardian Ferro.
Kryetari i degës së PD në Patos, Pëllumb Hoxha, deklaroi se mbi 100 qytetarë nga kjo zonë do të marrin pjesë në protestë.
Ndërkohë, edhe kryetari i degës së PD në Mallakastër, Resmi Shanaj, bëri të ditur se më shumë se 100 qytetarë do të nisen drejt Tiranës.
Po ashtu, sipas Emels Xhaxhajt, kryetar i degës së PD në Roskovec, mbi 100 qytetarë nga kjo bashki do t’i bashkohen tubimit të opozitës.
Organizatorët kanë bërë me dije se pjesëmarrja po realizohet kryesisht me automjete private, ndërsa qytetarët do të udhëtojnë në orare të ndryshme gjatë ditës për të qenë të pranishëm në protestën e planifikuar të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë.
Protesta e thirrur nga opozita pritet të fokusohet te akuzat për korrupsion, çështjet ekonomike dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
