Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në tryezën “Pensionistët, të nëpërkëmburit” se gjendja ekonomike e pensionistëve në Shqipëri është “jashtëzakonisht e rëndë”, ndërsa premtoi se ndërhyrjet kryesore të PD-së do të fokusohen tek pensionet, minimumi jetik dhe rrogat e ulëta.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se rreth 490 mijë pensionistë në vend marrin pension të pjesshëm dhe jetojnë në vështirësi ekonomike.
“Rreth 490 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime”, deklaroi ai.
Sipas kreut të PD-së, rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me rritje të pensioneve dhe pagave, duke thelluar varfërinë tek pensionistët.
“Në Shqipëri, zhvillimi më negativ ka qenë ky, që rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve”, u shpreh Berisha.
Ai kritikoi mënyrën sesi, sipas tij, qeveria ka bërë indeksimin e pensioneve, duke e cilësuar të pamjaftueshëm përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve.
“Pensionistëve u del dy kokrra vezë. Po indeksimi me inflacionin selektiv nuk është konsideruar kurrë për ta”, tha Berisha.
Kreu demokrat akuzoi qeverinë për shpërndarje të padrejtë të të ardhurave dhe korrupsion, ndërsa e cilësoi situatën ekonomike si “barbare”.
“Është një sistem kolonial, sepse shpërndarja e të ardhurave është barbari”, deklaroi ai.
Berisha premtoi se Partia Demokratike do të vendosë minimumin jetik dhe do të nisë rritjen e pensioneve dhe pagave të ulëta.
“Përparësi absolute, Partia Demokratike do të ketë minimumin jetik, pensionet dhe rrogat e ulëta si fillim”, tha ai.
Sipas Berishës, synimi i PD-së është që në Shqipëri të mos ketë më varfëri ekstreme, ndërsa u ndal edhe tek emigracioni, duke deklaruar se të rinjtë po largohen nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.
