Deputeti i opozitës, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë lidhur me shpenzimet për akomodimin e mjekëve turq që punojnë në Spitali Memorial Fier.
Në një deklaratë publike, Vasili e cilësoi situatën si “administrim mafioz të shëndetësisë”, duke pretenduar se shteti shqiptar ka paguar rreth 5.5 milionë euro për hotelin e stafit mjekësor turk që prej vitit 2022.
Sipas tij, ndërkohë që sistemi shëndetësor përballet me mungesa bazike, qeveria po përdor fondet publike në mënyrë abuzive.
“Kjo qeveri nuk ka para për shtretër kimioterapie, por paguan miliona euro për hotelin e mjekëve turq”, deklaroi Vasili.
Ai ngriti një sërë pyetjesh mbi mënyrën e funksionimit të spitalit dhe marrëdhënien financiare mes shtetit shqiptar dhe personelit të huaj.
“Çfarë marrëveshjeje është kjo? Nëse spitali është publik, mjekët duhet të paguajnë vetë akomodimin si çdo mjek tjetër. Nëse është privat, pse ndërhyn shteti?”, u shpreh deputeti.
Vasili krahasoi gjithashtu trajtimin financiar të mjekëve turq me pagat e ulëta të mjekëve shqiptarë në spitalin publik të Fierit.
“Në Fier ka mjekë shumë të mirë që punojnë me paga të ulëta dhe mbajnë ngarkesë të madhe, ndërsa mjekët turq marrin vetëm për hotel trefishin e pagës së tyre”, tha ai.
Në fund të reagimit, Vasili i bëri thirrje SPAK të hetojë marrëveshjen dhe përdorimin e fondeve publike për këtë çështje.
“SPAK duhet të hetojë këtë marrëveshje që qelbet erë”, përfundoi ai.
