Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-oficerin e policisë gjyqësore, Igli Haxhiaj.
Sipas SPAK, Haxhiaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 27 nëntorit 2025 dhe akuzohet për veprat penale: “Shpërdorim detyre”, “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të organeve të drejtësisë”.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimeve që lidhen me trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe veprimtari të grupit të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe zvicerane.
Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal operonte nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera europiane, duke trafikuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut përmes porteve të Europës Veriore.
Zbulimi i sekretit hetimor
SPAK pretendon se gjatë kohës kur ishte pjesë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Haxhiaj kishte akses në hetime sekrete që përfshinin përgjime telefonike dhe ambientale ndaj anëtarëve të grupit kriminal.
Sipas akuzës, ai i ka zbuluar shtetasit me iniciale D.M. faktin se ishte nën hetim dhe i ka dhënë informacione mbi përgjimet dhe veprimet hetimore të kryera ndaj tij.
Prokuroria thotë se këto informacione përbënin “sekret hetimor” dhe zbulimi i tyre është bërë në mënyrë të paligjshme.
Dyshimet për korrupsion
Nga hetimet rezulton se komunikimet mes Haxhiajt dhe personit të hetuar janë zhvilluar përmes platformës së enkriptuar SKY ECC.
SPAK pretendon se ish-oficeri kërkonte përfitime monetare në këmbim të informacionit, ndërsa në dosje përmendet një shumë prej 15 mijë eurosh.
“Nga bisedat provohet qartë se informacioni ofrohej kundrejt përfitimeve monetare”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Akuzat për shpërdorim detyre
Hetuesit pretendojnë gjithashtu se Haxhiaj, megjithëse kishte dijeni për aktivitete kriminale të lidhura me trafik narkotikësh, nuk ka kryer veprimet procedurale që i ngarkonte ligji si oficer policie gjyqësore.
Sipas SPAK, ai nuk ka informuar prokurorin dhe nuk ka ndërmarrë veprime për hetimin e personave të përfshirë në trafikun e drogës, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Çështja tashmë i kalon për shqyrtim Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
