Ministrja e Shtetit, Erjona Ismaili, ka reaguar në Kuvend lidhur me debatet për licencimin e bankës digjitale “Jet Bank”, pas interpelancës së kërkuar nga deputetë të opozitës.
Në përgjigjen e saj, Ismaili deklaroi se procesi i licencimit të bankave nuk është kompetencë e qeverisë apo e kryeministrit, por realizohet në mënyrë të pavarur nga Banka e Shqipërisë.
“Kjo çështje nuk është kompetencë e qeverisë. Kushtetuta dhe ligji sanksionojnë qartë pavarësinë institucionale të Bankës së Shqipërisë”, u shpreh ministrja.
Ajo akuzoi opozitën për, sipas saj, “dezinformim” dhe “konfuzion të stisur” mbi këtë çështje, duke pretenduar se debati është prodhuar për interesa politike.
“Më vjen keq për dezinformimin dhe shqetësimin e stisur në seli partish politike në kurriz të qytetarëve”, deklaroi Ismaili.
Sipas saj, çdo pretendim që lidh qeverinë me procesin e licencimit cenon besueshmërinë e sistemit financiar dhe pavarësinë e bankës qendrore.
“Bankat nuk i licencon as kryeministri dhe as qeveria, por Banka e Shqipërisë. Ky është një gur themeli për garantimin e mbikëqyrjes bankare”, tha ministrja.
Ajo paralajmëroi se retorika politike ndaj institucioneve financiare mund të ketë pasoja për ekonominë dhe stabilitetin e tregut bankar në vend.
