Ish-komandanti i Forcave Detare shqiptare, Artur Meçollari, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-ministrit Pirro Vengu lidhur me mënyrën se si është trajtuar çështja e bazës detare të Pashalimanit dhe projekti i Porto Romanos.
Sipas Meçollarit, prej katër vitesh është ndërtuar një narrativë publike për nevojën e krijimit të një baze të re në Porto Romano, ndërkohë që Shqipëria i kishte ofruar që në vitin 2019 NATO bazën detare të Pashalimanit si bazë logjistike të Aleancës.
Ai pretendon se në shkurt të vitit 2020 NATO konfirmoi nisjen e studimit për Pashalimanin dhe se procesi vazhdoi edhe në vitet pasuese. Sipas tij, këtë fakt e ka konfirmuar së fundmi edhe kundëradmirali Arsen Mullai gjatë një interviste televizive.
Meçollari pretendon se paralelisht me studimin e NATO-s janë ndërmarrë veprime që kanë cenuar integritetin e pronës së Pashalimanit. Ai i referohet një dekreti presidencial të vitit 2025, për të cilin thotë se nxori rreth 80 hektarë nga prona ushtarake, duke lënë vetëm 14 hektarë për bazën detare dhe projektin e NATO-s.
Sipas tij, ky dekret është miratuar mbi procedura që aktualisht janë objekt hetimi nga SPAK në dosjen 108/2021.
“Presidenti me një akt të vitit 2025 ka ndërhyrë për legjitimimin e veprimeve të kundërligjshme të vitit 2016”, pretendon Meçollari, duke shtuar se ky vendim dëmton jo vetëm kapacitetet kombëtare detare, por edhe marrëdhëniet me NATO-n.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi fatin e dekretit presidencial nr. 24, datë 3 shkurt 2025, duke kërkuar anulimin e tij dhe duke argumentuar se ndryshimet në territorin e Pashalimanit cenojnë drejtpërdrejt projektin strategjik të Aleancës.
Në reagimin e tij, Meçollari akuzon qeverinë se ka përdorur projektin e Porto Romanos për të shmangur vëmendjen nga zhvillimet në Pashaliman, të cilin ai e konsideron bazën reale strategjike të NATO-s në Shqipëri.
