Situata politike në Serbi po vë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ndërsa në Parlamentin Evropian po diskutohen masa konkrete ndëshkuese ndaj Beogradit.
Gjatë një debati në Komitetin e Punëve të Jashtme, raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, theksoi se reformat kanë ngecur dhe në disa raste kanë pësuar regres, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe lirisë së mediave. Sipas tij, procesi i integrimit ka mbetur në vendnumëro për shkak të mungesës së progresit dhe problemeve në raport me Kosovën.
Për herë të parë, në tryezë është hedhur ideja për pezullimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë, një masë që konsiderohet si goditje direkte ndaj qeverisë së Aleksandër Vuçiç.
Kritikat ndaj Beogradit kanë qenë të forta edhe nga eurodeputetë të tjerë. Deputeti austriak Helmut Brandstätter deklaroi se qeveria serbe duket se është më e interesuar për fondet europiane sesa për përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim. Ai propozoi që fondet të mos kalojnë përmes qeverisë, por të shkojnë drejtpërdrejt tek shoqëria civile.
Një tjetër shqetësim madhor i ngritur në debat ishte orientimi gjeopolitik i Serbisë. Sipas eurodeputetit Davor Ivo Stier, vendi po largohet nga kursi europian duke forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën, përfshirë edhe bashkëpunimin ushtarak dhe blerjen e armëve të avancuara.
Ndërkohë, eurodeputetja Željana Zovko theksoi nevojën që Serbia të përballet me çështjet e së kaluarës dhe të përmirësojë standardet në të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin me drejtësinë.
Megjithatë, debati nuk ishte pa kundërshti. Disa eurodeputetë, si Annamária Vicsek dhe Grzegorz Braun, e cilësuan raportin të politizuar dhe kritikuan tonin e ashpër ndaj Serbisë.
Në përfundim, mesazhi i Brukselit është i qartë: rruga e Serbisë drejt BE-së është në rrezik serioz, dhe nëse nuk ka ndryshime konkrete, vendi mund të përballet me pasoja reale, përfshirë edhe kufizimin e mbështetjes financiare.
