Analisti Enton Abilekaj ka ngritur akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke pretenduar se vendimmarrjet gjyqësore ndikohen nga raporti që të pandehurit kanë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, rastet e Ilir Meta dhe Erion Veliaj tregojnë një trajtim të ndryshëm krahasuar me atë të Ilir Beqaj.
Abilekaj argumenton se, që në fazat e para të procesit, pa u shqyrtuar ende provat dhe dëshmitë, vërehen sinjale për një “predispozicion ndëshkues” ndaj Metës dhe Veliajt. Ai përmend si problem kufizimet në aksesin ndaj dosjeve, kushtet e paraburgimit dhe përdorimin e “kafazit të xhamit” gjatë seancave.
Në të kundërt, sipas tij, ndaj Beqajt po zhvillohet një proces më i rregullt procedural, ku kërkesat e mbrojtjes merren në konsideratë në bazë të ligjit.
“Dallimi nuk vjen nga marrëdhënia me gjykatën, por nga marrëdhënia me kryeministrin,” u shpreh ai, duke sugjeruar se drejtësia nuk është plotësisht e pavarur.
Analisti kritikoi gjithashtu SPAK për mënyrën e operimit, duke e cilësuar si të fokusuar më shumë te efekti publik sesa te provat. Ai përmendi arrestimet e filmuara dhe të bujshme si pjesë e një strategjie komunikimi për të krijuar perceptimin e luftës kundër korrupsionit.
Sipas Abilekajt, kjo qasje mund të ketë funksionuar në fillim për të rritur besimin e publikut, por tashmë kërkohen rezultate konkrete dhe procese të drejta.
“Në fund, ‘show’-u nuk mjafton si provë në gjykatë,” theksoi ai, duke shtuar se drejtësia duhet të bazohet në ligj dhe prova, jo në perceptim publik.
Ai paralajmëroi se përdorimi i praktikave si izolimi, kufizimi i të drejtave dhe ekspozimi publik i të pandehurve mund të krijojë një formë “ndëshkimi paraprak”, pavarësisht vendimit përfundimtar të gjykatës.
