Zbardhet mega-skandali i klanit Balluku, si po ndahen milionat e buxhetit të shtetit mes familjarëve, korrupsion…

Data

Kur doli nga zyrat e SPAK vitin e kaluar, zv/kryeministrja Balluku foli për drejtësinë, për të mirën dhe të keqen, por shmangu faktin se gjurmët e aferave që kanë lënë bashkëpunëtorët e saj më të afërt si ish-Drejtori i ARRSH-së i arrestuar nga SPAK, Evis Berberi përfundojnë te zyra e saj në Ministrinë e Infrastrukturës. Tashmë këto gjurmë kanë arritur edhe te zyra e zv./kryeministrisë, ku i bashkëngjitën familjarët e drejtorit të kabinetit Ermal Nufi, drejtorëve që janë në varësi direkte nga ministrja Balluku, si Mehmet Hasalami, Erjola Muka dhe Irena Malolli. Sipas Artur Meçollarit: “Korrupsioni i qeverisë shqiptare është i mirëstrukturuar, si një strukturë paralele me strukturën e hierarkisë shtetërore.”

Nën buzëqeshjen e zv.kryeministres fshihen disa padi nga opozita e vendit për atë personalisht për Portin e Durrësit, për sektorin e energjisë, dy hetime nga SPAK për koncesionin e bazës ushtarake në Sarandë dhe tunelin e Llogarasë. Teksa ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj u vendos nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pasi iu ekspozuan njohjet me biznesmenët e inceneratorëve për shkak të një aksidenti me makinën që po udhëtonte në Maqedoninë e Veriut, për zv/kryeministren Balluku ka një mjegull, e cila të krijon përshtypjen e qetësisë përpara stuhisë.

Drejtorët e Ballukut nën dyshime për konflikte interesi

Në fillim të vitit 2021, konsorciumi i kompanive të huaja dhe shqiptare, ku ndër to ishte dhe kompania “ABKONS” e Besnik Leskaj do të fitonte tenderin 11 milionë euro nga Autoriteti Portual i Durrësit për hartimin e Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Të gjitha kompanitë pjesëmarrëse u skualifikuan duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive “ABKONS shpk”, “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C”, “TAULANT” shpk, “GEO-ENG shpk”. Sipas Open Data Albania ky tender paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizim nga Autoriteti Portual Durrës. “Po ta regjistrosh një kompani në Shqipëri, futesh tek faqja e QKB-së dhe ti shikon të gjithë pronarët me emër dhe mbiemër. Ndërsa ai që e regjistron në offshore nuk e tregon pronarin”, shprehet Pano Soko.

Biznesmeni Besnik Leskaj është person i lidhur me Ledia Totaj, automatikisht është subjekt i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Nga informacionet, Besnik Leskaj ka deklaruar vetëm në vitin 2017 themelimin e degës së kompanisë “IKONS GLOBAL LIMITED” në Angli, por në vazhdim nuk ka deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet me këtë kompani apo lëvizjen e aksioneve. Por Besnik Leskaj është aksioner te kompania në Angli nëpërmjet një dege të kësaj kompanie që e ka themeluar në 2018 në offshoret e Maltës, e cila është një parajsë fiskale për biznesmenët që duan të fshehin pasuritë e tyre. Edhe në këtë rast, kjo kompani e cila zotëron aksione te kompania në Angli nuk është deklaruar në ILDKPKI nga Besnik Leskaj. Nga dokumentet zyrtare, kjo kompani guackë është në pronësi të një kompanie tjetër malteze “Blessed Investment Limited”, e cila ka si pronar fundor kompaninë shqiptare “Blessed Investment” shpk.

Kjo kompani është aksionere drejtpërdrejt te kompanitë e parqeve fotovoltaike, te kompania “IKONS” dhe “ABKONS” shpk, ku kjo e fundit ka marrë fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Dy drejtoresha në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli, të cilat janë anëtare të shoqërisë publike Hekurudha Shqiptare SH.a, bashkëshortët e tyre, përkatësisht Redjon Biba dhe Sokol Malolli janë drejtues te kompanitë “ABKONS” dhe “IKONS” të biznesmenit Besnik Leskaj që ka aksione te koncesioni i hekurudhës. Është e paqartë nëse kemi konflikt interesi në këtë rast, por numri i lartë i personave të lidhur me biznesmenin ngrenë hije dyshimi, pasi duket sikur e gjithë infrastruktura është në shërbim të një familje biznesi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related