Himara, në rrjedhën e viteve është bërë mollë sherri mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke, që nëpërmjet strategjisë së saj ogurzezë kërkon greqizmin e jugut të Shqipërisë, duke dashur të diktojë dhe të emërojë në qeverisjen e Himarës, pinjollët e saj pasionantë pro vorioepiriot. Kursi i saj neofashist i implementuar nga lideri i saj Micotaqis, me metoda e forma dredharake sipas dinakërisë greke, ka synuar e kërkuar që të vendos në krye të Bashkisë së Himarës, kuajt e karrocës helene, duke filluar nga Bollano te Beleri. Dinakëria greke ka triumfuar në disa raste duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen te klani politik antikombëtar i ashtuquajturi koalicioni i të djathtës shqiptare, që kryesohet nga “Partia Demokratike” me në krye Sali Berishën dhe Partia e “LSI-së”, konvertuar në Partia e “Lirisë”, ose e “Anarshisë “, me në krye Ilir Metën, si dhe partitë fantazma me kryetar pa anëtar. Ky cirk politik, ka bërë që të fitoj dy herë e djathta në mbështetje të OMONIES, me përfaqsues Bollanon dhe së fundi Belerin. Në qeverisjen e Himarës për katër vjet me kryetar Bollanon, Himara drejtohej nga Athina, i mbështetur nga Tirana zyrtare sipas strategjisë vorioepiriote. Bollano i merrte udhëzimet nga Athina dhe arriti ta greqizojë Himarën, duke lejuar që edhe në zyrat e shtetit të flitej greqisht, duke e quajtur Himarën etni greke. Kujtojmë një rast që Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, zhvilloi Kuvendin e saj të Tretë në Himarë, në Maj të 2005, jo rastësisht, por për t’i thënë himarjotëve se është etni labe
Bollano, jo vetëm që nuk lejoi të zhvillohet kuvendi në mjediset shtetërore ( u detyruam ta zhvillojmë në një mjedis privat), por mbushi muret e fasadave të lokaleve të qytetit me parulla të shkruara greqisht: “Poshtë Labëria”, “Himara s’është Labëri”, “ Himara është Greqi”, etj. Bollanua kishte fituar zgjedhjet në aleancë me koalicionin e djathtë, por porositë dhe strategjinë e zbatonte sipas mësimeve të Athinës. Bollanua mohonte dhe një fakt historik, që Himara ka qenë kryeqendra e Labërisë, duke pasur nën juridiksionin e saj 52 fshatra, nga bregu i detit, në Kurvelesh ( nga e kanë origjinën dhe renegatët Bollano e Beleri ), e deri në Delvinë. Ajo që të revolton dhe që bie ndesh me identitetin kombëtar është pelegrinazhi i politikanëve, shtetarëve, diplomatëve dhe qytetarëve grek, që bëhen zotë vendi në Shqipëri, kur në Athinë nuk lejojnë të artikulosh, pa le të demonstrosh e të kërkosh të drejtat e emigracionit shqiptar dhe mohimin e pronave të çamëve në trojet e tyre. Në kujtesën e të moshuarve të popullsisë çame nuk është tharë gjaku i dhunës, masakrave e krimeve çnjerëzore të Napolon Zervës, çfarrosjes nga trojet e tyre, që është një tragjedi që i tejkalon ato të autorëve të lashtësisë greke. Pa arritur barazia, partneriteti dhe marrëdhëniet reciproke mes dy vendeve, nuk mund të pranohet të ketë miqësi spekulative në dëm të shqiptarëve.
Boll kanë spekulluar, politikanët dhe shtetarët grek me provokacione për varrezat greke në Kosinjë të Përmetit dhe Boboshticë të Korçës, me hapjen e shkollave grekë në Himarë dhe Korçë, me ligjin e regjistrimit të popullsisë sipas etnisë dhe fesë, me propagandën për Vorioepirin, kur ende mbajnë në fuqi ligjin e luftës dhe flasin për barazi dhe demokraci. “ Plagën që merr mëmëdheu e ndjen thellë në zemër secili prej nesh” shkruan Hygoi. Politika dhe shteti shqiptar duhet të tregohet më identitar, atdhetar dhe kombëtar, pa bërë lëshime për çështje parimore, për koniunktura pragmatiste. E djathta konglomerate shqiptare, e drejtuar nga non-grata Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë bërë koalicione në të gjitha edicionet zgjedhore për kryetar bashkie të Himarës, me kandidatët progrek të rekomanduar nga klika helene, në dëm të çështjes shqiptare. Berisha, i bën këto kompromise antikombëtare, falë filozofisë, bindjeve dhe antishqiptarizmës së tij, por edhe duke menduar e shpresuar se do ketë përfitime personale nga lobi grek i Amerikës, që është një lob i fuqishëm. Ndryshe nga pseudoedjathta, e majta ka mbajtur qëndrim kritik dhe ka kandiduar persona me identitet kombëtar. Por kujdesi, vëmendja dhe ekzigjenca për të zgjedhur kandidatura me integritet dhe figurë të pastër, duhet të jetë prioritet për një cilësi më të lartë morale dhe profesionale se deri më sot. Pas peripecive dhe tronditjeve që pësoi Bashkia e Himarës, sot ajo ka një kryebashkiak me një përvojë politike dhe shtetarë të admirueshme.
E dëgjova kryetarin Tavo në një bisedë kur u pyet se a do flitet greqisht në Himarë dhe Ai, me krenari pohoi, “pa tjetër, se greqishtja është gjuha e nënës time”. I kujtoj kryetarit Tavo, se gjuha greke është vërtet gjuha e nënës së Tij, por nuk është gjuha e nënës së himariotëve. Himariotët, këndojnë e qajnë labçe dhe jo greqisht, se janë lebër. Himariotët gjuhën greke nuk e kanë gjuhën e nënës, por gjuhën e “babës”, një gjuhë tregëtare kur bënin tregti me Korfuzin. Drejtësia shqiptare pasi dënoi korrupsionin e kandidatit për Kryetar Bashkie Belerin, vijoi duke penalizuar dhe kryetarin në detyrë Gjergji Goron. Goro ka gabuar, apo është ndaluar për të kompensuar dy krahët e politikës, apo për t’i bërë fresk padronit grek? Këtë enigmë do ta zgjidh drejtësia, pa u ndikuar nga politika. Problemi është që Goro mos të shkoj për “kokë greku “. Kemi dëgjuar “kokë turku”. Ky konotacion është përdorur nga tradita myslimane për “,dashin e kurbanit”, ose “kokë turku”. Në kuptimin figurativ kemi të bëjmë me “kokë turku”, “dash kurbani”, barabartë me “cjap fajshlyes”, kur dikujt i ngarkohen të gjitha përgjegjësitë e fajet për gabimet e të tjerëve, ose për ngjarjet negative. Për rrjedhojë ndodh shpesh që drejtuesi “ dashi i kopesë”, ndëshkohet me pa të drejtë për pasojat që rrjedhin nga ngjarje që kanë shumë aktorë.
