Pas shtyrjes së seancës në GJKKO, Monika Kryemadhi ka reaguar për mediat lidhur me akuzat ndaj saj dhe provat e paraqitura nga prokuroria.
Ajo bëri të ditur se gjatë shqyrtimit paraprak është vendosur që t’i vihet në dispozicion akt-ekspertimi i telefonit të saj, si dhe përgjimet telefonike, duke theksuar se kishte kërkuar vetë akses në këto materiale.
Sipas Kryemadhit, çështja ndaj saj është ndërtuar mbi interpretime të gabuara të mesazheve, të cilat, sipas saj, nuk përbëjnë vepër penale.
“Gjithçka është ndërtuar si fabul për të krijuar një iluzion optik”, u shpreh ajo, duke shtuar se prokuroria po përdor një mesazh ku ajo shprehet për blerjen e një shtëpie, për ta lidhur me akuza për korrupsion.
Kryemadhi sqaroi se bëhet fjalë për një pronë në zonën e “Kodrës së Diellit”, për të cilën ajo pretendon se nuk është blerë dhe madje nuk ekziston siç paraqitet në akuzë.
“Thuhet se shtëpia është marrë si premtim për ligjin për minierat, por ajo shtëpi nuk ekziston”, deklaroi ajo.
Procesi ndaj saj dhe Ilir Meta vijon të jetë në fokus të lartë publik, ndërsa pritet që në seancat e ardhshme të shqyrtohen në detaje provat dhe pretendimet e palëve.
