Sesioni i ri parlamentar nisi me tensione ekstreme dhe përplasje të ashpra politike, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit duke kërkuar heqjen e imunitetit dhe dorëzimin para drejtësisë të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se po mbron hapur korrupsionin dhe se Kuvendi është shndërruar në një bunker për të paprekshmit e pushtetit. Ai e cilësoi situatën si testin më serioz të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
“Të gjithë jeni Lubia! Ngrihuni në këmbë dhe thërrisni: Jemi Lubi! Partia në pushtet, partia e krimit, sot po përballet me testin më të madh të ligjit”, deklaroi Berisha mes kaosit në sallë.
Ai sulmoi drejtpërdrejt mazhorancën për praninë e Belinda Ballukut në seancë, duke e quajtur këtë një provokim të rëndë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe një akt të hapur mbrojtjeje politike.
“Ju po mbroni një person që duhej të ishte përballë drejtësisë, jo në sallën e Kuvendit. Jeni bërë mburojë. Jeni Ballukë të gjithë”, u shpreh Berisha.
Sipas opozitës, shumica po refuzon qëllimisht të mbledhë Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, duke bllokuar procedurat për heqjen e imunitetit të Ballukut, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe hetimeve në zhvillim.
Opozita e lidh kërkesën për heqjen e imunitetit me hetimet për Tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe, ku pretendohet për abuzime me fondet publike dhe shkelje të rënda ligjore.
Seanca u shoqërua me ndërprerje, thirrje dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa përplasja politike tashmë ka kaluar nga debati institucional në akuza të drejtpërdrejta për pengim të drejtësisë dhe mbrojtje të korrupsionit.
