Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në KLP, theksoi se korrupsioni në nivele të larta mbetet një problem shqetësues në vend.
Sipas tij, gjatë periudhës së fundit janë proceduar 24 zyrtarë të lartë për vepra që lidhen me korrupsionin, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara ndaj tyre arrin në rreth 1.1 milion euro.
Braho bëri të ditur se ka një rritje me 18% të rasteve të reja të korrupsionit të hetuara nga SPAK, çka reflekton një intensifikim të aktivitetit të institucionit në këtë drejtim. Ai shtoi se janë çuar në gjykatë disa procedime të reja, ndërsa 18 persona janë dërguar për gjykim dhe 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Në lidhje me masat e sigurisë, u theksua se arresti me burg po konsiderohet si masë e fundit, ndërsa për korrupsion janë arrestuar 15 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu, sipas raportimit, gjatë vitit 2025 janë marrë 59 vendime nga GJKKO dhe një nga Gjykata e Lartë, ndërsa numri i rekurseve në këtë të fundit ka pësuar ulje.
SPAK nënvizoi se lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, do të mbetet prioritet, pavarësisht sfidave që vazhdojnë të ekzistojnë në këtë drejtim.
