Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e dyfishtë e Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në Balldren, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, policia ka identifikuar dy automjete të përdorura nga autorët gjatë atentatit. Një prej mjeteve, me ngjyrë të zezë, dyshohet se ka luajtur rolin e pritës, duke i prerë rrugën automjetit tip Audi A7 ku udhëtonte çifti, ndërsa një mjet tjetër gri është përdorur për kryerjen e sulmit.
Hetuesit janë duke verifikuar targat dhe lëvizjet e këtyre automjeteve, të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Sipas të njëjtave burime, dy persona të armatosur kanë dalë nga njëra prej makinave dhe kanë hapur zjarr ndaj mjetit të viktimave, duke qëlluar me mbi 30 plumba. Sulmi është cilësuar i mirëorganizuar dhe i shpejtë, duke mos u lënë asnjë mundësi reagimi viktimave.
Pas krimit, autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe vijon operacionin për kapjen e tyre, ndërsa hetimet po përqendrohen në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
